Naser Selmani në intervistë për “5gazetarët”: Gazetarët në Maqedoni punojnë në mjedis armiqësor!

Duhet të ndryshojë mendësia e gazetarëve sepse profesioni ynë është elitar dhe shumë fisnik. Natyra e punës bënë të jemi të përgjegjshëm, të kujdesshëm, të ditur, por edhe të guximshëm. Mbi të gjitha një gazetar i mirë duhet të ketë  integritet. Nëse humbet integriteti, humbet çdo gjë. 

Pa demokratizimin e Maqedonisë, nuk do kemi media të lira dhe profesionale sepse media është viktima e parë që bie në një sistem autoritar. Kështu vlerëson në intervistën ekskluzive për “5gazetaret”, kryetari i SHGM-së Naser Selmani. Kreu i gazetarëve në Maqedoni, ka folur edhe për pozitën e gazetarëve në vend, mënyrën e funksionimit të mediave por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët. Për më shumë ju ftojm të lexoni intervistën e plotë…

5gazetarët – Vendi ndodhet në prag të reformave thelbësore për tu shndërruar në demokraci Evropiane. Por a mund të na tregoni se në çfar gjendje ndodhen mediat në Maqedoni?

Naser Selmani Media në Maqedoni është në koma. Shteti i kapur ende kontrollon pjesën dërmuese të mediave. Ajo është shndërruar në instrument propagande duke i shërbyer interesave të pushtetit.

Është e pamundur të krijohen media të lira dhe profesionale në një shtet me demokraci formale, ku sundojnë strukturat neokomuniste dhe krimi i organizuar, si në Rusinë e Putinit. 

Media është pushteti i parë që robërohet nga politikat autoritare të pranishme jo vetëm në vendet me demokraci hibride, siç është Maqedonia, por edhe në vende të lira me një traditë të gjatë demokratike. Raporti i presidentit amerikan Tramp dhe i të djathtës ekstreme Evropiane ndaj medias, e dëshmon këtë trend negativ jo vetëm sa i përket lirisë së medias, por edhe të ardhmes demokratike dhe paqësore të hapësirës euroatlantike.

Maqedonia ka një kushtetutë demokratike, e cila nuk zbatohet. Ajo klasës së korruptuar dhe të paaftë politike i shërben vetëm si dekor para botës. Ata nuk besojnë në konceptin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të mirëqenies së përgjithshme. E vetmja gjë që ju intereson është të ruajnë pushtetin dhe privilegjet me çdo kusht.

Pronarët e mediave elektronike në Maqedoni janë të kapur. Janë njerëz të dalur nga ish regjimi komunist, të pasuruar brenda natës duke shfrytëzuar privatizimin kriminal falë bashkëpunimit me strukturat e shtetit të kapur.

Fatkeqësisht, në këtë rrjetë krimi shtetëror janë përfshirë edhe një pjesë  e mirë e redaktorëve dhe gazetarëve, të cilët e kanë shitur shpirtin për privilegjet e ofruara nga shteti i kapur.

Në Maqedoni ekziston një sistem mirë i përpunuar i kontrollit të gazetarëve. Niveli i parë i korruptimit është ai politik apo ideologjik. Gazetarët indoktrinohen me agjenda të rrejshme politike duke i shndërruar në shërbëtor të këtyre politikave autoritare.

Shtresa e dytë e kontrollit është ajo shtetërore. Institucione të rëndësishme të shtetit, siç janë shërbimet inteligjente, rekrutojnë gazetarët për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetarëve duke u treguar broçkulla se po punojnë për interesa të përgjithshme shtetërore. Bile një pjesë e gazetarëve vihen edhe në shërbim të tajkunëve apo edhe të nëntokës kriminale.

Në këto kushte është e pamundur të ushtroni profesionin e gazetarit në mënyrë profesionale dhe për të përmbushur misionin që ka media në një shoqëri demokratike, që është informimi i saktë dhe më kohë i qytetarëve për çështje me interes të përgjithshëm dhe për të kërkuar llogaridhënie nga të gjitha llojet e pushteteve.

Gazetarët jashtë këtij rrjeti të përpunuar të kontrollit, ndjekin në mënyrë të verbër padronët e tyre nëpër redaksi dhe janë shndërruar në mbajtës mikrofonash, ndërsa të tjerët që kundërshtojnë këtë rol poshtërues, izolohen, margjinalizohen edhe përjashtohen nga media.

E vërteta e medias në Maqedoni duket e zymtë, por kjo është e nevojshme të thuhet nëse duam ta ndryshojmë realitetin.

5gazetarët – Cilat janë reformat thelbësore që duhet urgjentisht të bëhen në sferën e mediave, sidomos në ato elektronike?

Naser Selmani – Reforma e parë që duhet të bëhet është të bie shteti i kapur bashkë me institucionet e kapura. Kjo gjë nuk po ndodhë. Pa demokratizimin e Maqedonisë, nuk do kemi media të lira dhe profesionale sepse media është viktima e parë që bie në një sistem autoritar.

E para duhet të ndërrohet mendësia politike e elitave politike, nëse mund ti quajmë ashtu, dhe e burokracisë shtetërore. Ata duhet të kuptojnë se media nuk guxon të kontrollohet sepse në këtë mënyrë rrënohen parimet mbi të cilat ndërtohet demokracia. Media e lirë është e patjetërsueshme për shëndetin e një demokracie. Pa media të lira, demokracia mbytet.

E dyta duhet të reformohet sistemi i mediave, i cili kontrollohet nga pushteti, pasanikët e tranzicionit dhe gazetarët e kapur. Duhet të priten të gjitha fondet publike për financimin e mediave private, përveç subvencioneve për median e shtypur dhe fondet publike për të mbështetur gazetarinë hulumtuese. Këto fonde duhet të ndahen në mënyrë transparente dhe pa përjashtimin e askujt.

Të freskohet legjislacioni i mediave, i cili nuk ndjek praktikat më të mira evropiane dhe të fillojë zbatimi i përpiktë i tij. Prokuroria dhe gjykatat duhet të kuptojnë se duhet të jenë aleatët më të mëdhenjtë të lirisë së fjalës dhe të mediave. Aleanca mes prokurorisë e gjykatave është garancia e vetme për luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duhet të reformohet Agjencia e mediave sepse ajo është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e tregut mediatik, i cili është shkatërruar. Pavarësia ekonomike e mediave është parakusht për pavarësinë e tyre editoriale.

Pavarësimi dhe profesionalizimi i servisit publik, Radiotelevizioni i Maqedonisë, i cili ka një vend të pazëvendësueshëm në sistemin mediatik. RTM duhet të jetë shtylla e këtij sistemi, i cili vendosë standarde në hapësirën mediatike. Duhet të prodhojë produkt cilësorë për të informuar, edukuar dhe zbavitur publikun. 

Dhe në fund duhet të ndryshojë mendësia e gazetarëve sepse profesioni ynë është elitar dhe shumë fisnik. Natyra e punës bënë të jemi të përgjegjshëm, të kujdesshëm, të ditur, por edhe të guximshëm. Mbi të gjitha një gazetar i mirë duhet të ketë  integritet. Nëse humbet integriteti, humbet çdo gjë. 

5gazetarët – A janë gazetarët e sigurtë në vendin tonë dhe a kanë kushtet e nevojshme për të ushtruar profesionalisht profesionin e tyre?

Naser Selmani – Gazetarët në Maqedoni nuk janë të sigurt. Ato punojnë në një mjedis shumë armiqësor. Këtu ushtrohet dhunë fizike, ekonomike dhe psikike kundër gazetarëve, ndërsa institucionet e shtetit, siç janë policia, prokuroria dhe gjykatat, nuk ndëshkojnë efektshëm sulmuesit. Nga 60 sulme kundër gazetarëve pesë vitet e fundit, institucionet kanë dënuar vetëm një sulmues me burgim dhe një tjetër me gjobë për kundërvajtje.  Prandaj, duhet ti jepet fund politikës së mosndëshkimit të dhunës kundër gazetarëve. Pa gazetar të sigurt dhe të mbrojtur, nuk ka media të lira. Kjo është elementare nëse doni të keni media të lira dhe profesionale.

5gazetarët – Sa studentëve të gazetarisë dhe të rinjve u mundësohet që të arrijnë të bëhen gazetarë të denjë dhe profesionist dhe a kanë hapësirë të mjaftueshme në media?

Naser Selmani – Mediat tona nuk janë as të denja e as profesionale. Më këtë sfidë përballen të gjithë gazetarët e ri sapo fillojnë karrierën e tyre. Këtë realitet të zymtë e kuptojnë në muajt e parë të përvojës së tyre.

Media e kontrolluar nuk do profesionist, por njerëz mediokër. Përmes tyre media krijon mjegull në opinion dhe më lehtë mbronë interest e padronëve të tyre. Gazetarët e ri nuk mund të mësojnë nga drejtuesit e mediave në Maqedoni sepse ata vetë janë të paditur. E vetmja arsye pse drejtojnë mediat është se janë të përdorshëm, janë të dëgjueshëm ndaj padronëve. Gazetarët e ri ambicioz duhet të krijojnë vetë hapësirën. Kjo është rruga e vetme e suksesit si gazetar, e cila është shumë e jashtëzakonshme dhe sfiduese. E vështirë, por e bukur.

5gazetarët – Si i shihni mediat në Maqedoni, në 5 vitet e ardhshme?

Naser Selmani – Nuk jam shumë optimist se gjërat në Maqedoni do lëvizin shpejtë në drejtimin e duhur sa i përket lirisë së mediave. Këtu mungon një mase kritike për ndryshime rrënjësore të sistemit politik, por edhe zhvillimet rajonale, evropiane dhe botërore, më ushqejnë edhe më tepër këtë skepticizëm. Regjimet autoritare në Ballkan, forcimi i të djathtës evropiane dhe administrata Tramp, do të trimërojë autokratët në Maqedoni të hiqen sikur po bëjnë reforma, por në fakt do të bëjnë çmos për ta ruajtur këtë sistem autoritar. Media e lirë dëshmon cilësinë e një demokracie funksionale. Qeveria e re është larg arritjes së këtij qëllimi.

Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të luftojmë për reforma të përgjithshme dhe media të lira. Ata që përpiqen kanë gjasa të fitojnë, ndërsa ata që dorëzohen,  dështimin e kanë të garantuar.

5gazetarët – Cila është porosia juaj për gazetarët e rinjë në vend?

Naser Selmani – Jozeph Pulizer, një pronar gazetash në New Jork, shumë vite më parë i këshillonte gazetarët në këtë mënyrë:  Gjithmonë luftoni për progres dhe reforma, kurrë mos i hapni rrugën padrejtësive dhe korrupsionit, luftoni kurdoherë kundër demagogëve.

Amerikën e lirë, demokratike, të zhvilluar dhe të fuqishme e kanë ndërtuar këto mendje të ndritura, të cilët besuan dhe luftuan për vlerat e demokracisë, që janë paqja dhe mirëqenia e njerëzve.

                                   

                                    Intervistoi: Albina Ramadani, 5gazetarët.