MAQEDONASIT ME NDËRKËMBËZA, SHQIPTARËT TË MIRËKUPTUESHËM DERI NË PAKUFI!

Kur përfliteshin modalitete për emrin e ri të Maqedonisë, te subjektet shqiptare ekzistonte frika dhe dyshimi që Athina dhe Shkupi më së lehti mund të pajtoheshin për një emër që atyre s’u pëlqente: Republika Sllave e Maqedonisë ose Republika e Sllavomaqedonisë, me çka do të ndërrohej karakteri i shtetit. Atëherë, udhëheqësia e PPD-së ia kishte vënë në dukje kryetarit Gligorov dhe gjithë kreut shtetëror se Maqedonia do të ketë probleme me një emër të tillë

Në shtypin maqedonas kam shkruar shpesh për kontestin greko-maqedonas për emrin, sidomos në gazetën “Dnevnik”, dhe sa herë që jam përpjekur të jap ndonjë “diagnozë” për diskursin manipulativ nga të dyja palët, kam hasur në kundërshtime të ashpra nga lexuesit dhe ndonjë autor. Kam vënë në dukje veçanërisht periudhën e qeverisjes së VMRO-së, pasi me këtë parti procesi komplikohet dhe merr kahe të gabuar, sepse inxhinieringu identitar politik (politika ia imponon shkencës gjurmët e prejardhjes antike!) bëri që Greqia të propagandojë se Shkupi ka pretendime “irredentiste” (një nebulozë greke!), duke krijuar vërtet konfuzion te ndërkombëtarët, por dhe përçarje brenda kombit maqedonas, një problem madhor me pasoja fatale për unitetin kombëtar. Që të jem ironik, me antikomaninë (që rezultoi me Filipin e Dytë, djalin e tij Lekën e Madh me gjithë dajallarë, teze, nipër, mbesa, stërnipër e stërmbesa…., që vetëm Pasko Kuzmani e Nikolla Gruevski dinin t’i vënë në lidhje farefisnore me Gocen, Nikolla Karevin, Todor Aleksandrovin a Vanço Mihajllovin…), i dha argument të fortë Greqisë për të bindur edhe ato shtete, që e përkrahnin pozicionin e Maqedonisë, që të tërhiqen. Në veçanti rol të madh në pengimin e procesit ka qenë teza e sforcuar manipulative se, nëse ndërrohet emri i shtetit, ndërrohet identiteti, që ka pasur mbështetje nga qarqe shkencore e mediale, për të çuar në një paudhësi e vetëmashtrim.

Diskursi manipulativ (brenda)maqedonas

Ka shumëkush që thotë se Maqedonia nuk duhej të pranonte një marrëveshje të këtillë “poshtëruese” që të thirret “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” si zgjidhje e përkohshme derisa të mos gjendet një emër i pranueshëm për Greqinë. Që në kohën kur u arrit kjo marrëveshje (13 shtator 1995), në akuzat e VMRO-DPMNE-së opozitare, kryetari i atëhershëm përgjigjej se ajo është e përkohshme (si e tillë edhe e mban emrin) dhe kjo nuk do të zgjasë më shumë se 2 muaj! A kanë qenë reale pritjet dhe premtimet se procesi për të gjetur një emër “adekuat” për Maqedoninë me ndonjë shtesë gjeografike nuk do të zgjasin shumë, tashmë është e parëndësishme, duke pasur parasysh faktin se mbi dy dekada nuk ka lëvizje nga të dyja palët. Në dhjetë vjetët e fundit një pjesë e opinionit të vendit dhe atij ndërkombëtar fajin më së shumti ia adresojnë VMRO-DPMNE-së, sepse ajo vërtet bëri të “pamundurën” që me procesin sharlatanesk të antikuzimit të identitetit t’i japë Greqisë argumente të forta se fajtori është ai që e vjedh “historinë dhe personalitetet greke”. Mirëpo, duhet thënë se në kontestin që lindi gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe përkundër premtimeve se zgjidhja do të jetë e shpejtë, as në kohën e saj s’u bë asgjë. Metju Nimic, një mediator me mandat që po zgjat më shumë se dy dekada, i caktuar nga OKB-ja për të ndërmjetësuar, ka ardhur e ka ikur nga Shkupi e Athina ose mediatorët i ka ftuar në Nju-Jork për konsultime dhe ndër vite janë vërtitur gjërat e njëjta: emri me një shtesë gjeografike (Maqedonia “e Epërme”, “Veriore”, “e Vardarit” ose “Republika e Maqedonisë (Shkup)”… Ndërkohë janë qartësuar vijat e kuqe, sidomos nga Athina, e cila ka kërkuar një emër me atribut i cili do të vlente për përdorim të brendshëm dhe ndërkombëtar kundrejt një qëndrimi të Maqedonisë që me Greqinë të gjejnë një zgjidhje në komunikim bilateral. Ajo që i përshkruhet VMRO-së sot mund t’i përshkruhet njësoj edhe LSDM-së për moslëshim pe gjatë mandatit të saj, me një dallim se LSDM-ja, të paktën, nuk bëri veprime që do ta komplikonin procesin. Mirëpo, përderisa në sipërfaqe asgjë s’ka pasur konkrete, prapa perdes gjithnjë janë luajtur lojëra të tjera, madje dhe iniciativa ndërkombëtare, siç është përpjekja e Vasill Tupurkovskit dhe kancelarit austriak Alojs Mok, me përfaqësues grekë, të cilat ishin dekonspiruar (përplasja e njohur në parlament midis ministrit të jashtëm Denko Malevski dhe Vasil Tupurkovski). Iniciativën e tij në cilësi të personit privat, siç e quan ai tash, Vasil Tupurkovski nuk do të arrijë ta realizojë as kur do të vijë në pushtet më (1998-2001), për shkak se atëherë e nisi aventurën e Tajvanit, pasoi dalja nga qeveria dhe gjithçka mori fund. Mirëpo, nëse nga të gjithë politikanët, Tupurkovski ka qenë më fleksibili me gatishmëri për të bërë kompromis, duket se në anën tjetër ai është ideatori kryesor i inxhnieringut identitar, duke shkruar disa vëllime të historisë së Maqedonisë antike, me të cilën e joshi një pjesë të mirë të opinionit me të kaluarën e famshme, duke ia shartuar kështu antikën identitetit sllav, që deri tash e ka mbrojtur historiografia dhe linguistika zyrtare maqedonase. Konfuzitetet e tij do t’i përqafojë pastaj VMRO-DPMNE-ja dhe rezultatin e kësaj e kemi sot në sheshin “Shkupi 2014”.

Një nga konfuzitetet, që vetë subjektet e Maqedonisë e kanë krijuar, është pikërisht teza se nëse ndryshon emri i shtetit, ndryshon identiteti! Kjo është për t’u habitur, sepse të pohosh se ndonjë shtesë e emrit të Maqedonisë e cenon identitetin e popullit, do të thotë t’i hedhësh poshtë të gjitha ato raste (me dhjetëra) ku emri i shtetit nuk e përmban emrin e popullit! Në këtë grackë vetëdijeje i sollën maqedonasit manipulimet politike e kuazishkencore, që rezultuan me rrezikim edhe të synimeve euroatlantike, sepse rritej vazhdimisht përqindja e atyre që mendonin se Maqedonia nuk duhet të hyjë as në NATO as në BE nëse për këtë është kusht i ndërrimit të emrit. Por, a ishte qëndrimi i fortë ndaj Greqisë për ta ruajtur identitetin dhe shtetin apo pushtetin? Kjo dilemë ka mbetur pezull, sepse nuk ka një përgjigje të saktë. Pse nuk ka? Ngase është e vërtetë, në njërën anë, se VMRO-DPMNE-ja, me ardhjen e Gruevskit, mori një qëndrim të fortë kundrejt Greqisë edhe për shkak të përfitimeve politike, por më vonë ka gjasa që edhe vetë, bashkë me përkrahësit e vet, të hyjë në “filmin” e vetëmashtrimit, duke i besuar asaj që e trilloi vetë. Pra, Gruevski e ndërtoi një strategji PR-i, me të cilën shumë lehtë mund t’u hidhte hi syve shumicës së maqedonasve, që i mundësonte sundim të papenguar. I fortë me shqiptarët (e nisi me decentralizimin dhe disa veprimet të tjera të mëvonshme), i fortë me grekët dhe i fortë edhe me ndërkombëtarët! Ndonëse në Maqedoni mund të thuhet se ka pasur një konsensus të përgjithshëm për integrimet euroatlantike, falë diskursit manipulativ identitar, është shtuar skepticizmi euroatlantik dhe, viteve të fundit, ka pasur një riorientim alternativ drejt Moskës (prin Gjorge Ivanov dhe disa pena mediale pro-VMRO-iste). Kulmi i kësaj mendësie janë tezat e disa prej eksponentëve (diplomati Risto Nikovski, gazetarët Mirka Velinovska, Milenko Nedelkovski…) se në këtë kontest shihet qëllimi amerikan për asgjësimin e Maqedonisë, një tezë së cilës nuk janë të paktë ata që i besojnë.

Nëse ndonjë përfaqësues pushteti maqedonas hip në maje të Olimpit dhe e vendos flamurin e Aleksandrit (ai që e bën s’është ndonjë anëtar rasti i VMRO-së, por një ish ministër i punëve të jashtme dhe deputet), atëherë është shumë qartë është pse u dobësuan pozitat negociuese të Maqedonisë kundrejt Greqisë. (http://press24.mk/sites/default/files/afdaf.png)

Për shqiptarët, gjithçka e pranueshme, vetëm “Sllavomaqedoni” jo!

Gjatë pothuajse dy dekadave e gjysmë shqiptarët kanë qenë të durueshëm. Të durueshëm dhe parimorë: nuk janë përzier në proces, kanë mbajtur qëndrim se do ta përkrahin atë zgjidhje që do të jetë e pranueshme për maqedonasit. Në procesin e bisedimeve kanë ndenjur anash, madje edhe kur kanë parë se disa veprime kontraproduktive kanë ardhur nga brenda. Mirëpo, kur në janar të vitit të kaluar lideri i BDI-së qëndroi në Athinë me një delegacion partiak në përpjekje për të lobuar në tejkalimin e dallimeve greko-maqedonase, shtypi maqedonas dhe disa qarqe e morën në thumb: Çka ka të përzihet ai në problemin e emrit! Me atë rast pata shkruar një kolumnë në “Dnevnik” ku pata marrë disa reagime të ashpra anonimusësh, të cilët ndoshta e pasqyronin qëndrimin pak a shumë të qarqeve nacionaliste. Ja stili i të menduarit të tyre: Emri është Republika e Maqedonisë-Maqedonase, kurse ju si pakicë nën 20 për qind, me të drejta si askund në botë, më mirë të mos përziheni në emrin e popullit maqedonas, i cili kurrë nuk ka për t’u ndërruar. Kurse për vetë iniciativën e Ali Ahmetit njëri komentoi kështu: “E maqedontha, pështyni dhe gulfatuni në pështymën tuaj kur ka ardhur koha arnautët t’ua qëndisin kapelën dhe të vendosin për emrin. Të gjithë ju patriotë të vetëshpallur mbytuni në gënjeshtrat tuaja. Maqedonia është mbi gjithçka, ballistët e ndytë ua morën nga duart Maqedoninë, haram buka nga toka maqedonase“. Origjinale apo jo?! Çfarëdo ndihmese që vjen nga shqiptarët, mund të jetë vetëm e dyshimtë! Mund të nxirren disa konkluzione: Ju shqiptarët s’keni çka të përziheni në problemin, i cili është çështje e pastër etnike maqedonase (1); Ju nuk keni çka të përziheni se jeni më pak se 20 për qind dhe nuk jeni kurrfarë faktori vendosës (2); është turp për maqedonasit që shqiptarët të fusin hundën ku s’e kanë vendin te çështja e emrit(3).

Por, duke lënë anësh këtë lloj mendësie, çështja është përtej paragjykimeve ose animozitetit që kanë disa qarqe. Çështja është jo se a duhet të kyçen shqiptarët në procesin e negociatave greko-maqedonase, por sa mund t’u ndihmojnë realisht palëve për t’i tejkaluar vijat e kuqe të tyre? Çfarë kontributi kanë dhënë shqiptarët deri tash? Nëse japin përgjigje me një fjali, duke i hedhur si të pabaza dyshimet e qarqeve të caktuara, atëherë mund të themi se ky kontribut ka qenë gjithçka, por jo destruktiv. Ajo që është për t’u veçuar në opinionin politik të ndarë midis ithtarëve të VMRO-së dhe LSDM-së, nëse ndonjëra palë ka menduar se shqiptarët nuk kanë çka të përzihen, ka pasur edhe vlerësime të tjera, si bie fjala përse shqiptarët, para së gjithash BDI-ja, që ka qenë në pushtet në më shumë mandate, nuk ka bërë presion më të madh ndaj VMRO-së për ta ndryshuar strategjinë e gabuar.

Edhe pse me vite kanë qenë pasivë, në fillim të procesit negociues shqiptarët megjithatë kanë qenë vendimtarë për të mos u arritur një zgjidhje e pafavorshme për ta. Në këtë kontekst kontributin më të madh e ka dhënë Partia e Prosperitetit Demokratik, e cila u gjet në qeveri pikërisht në kohën kur qe arritur Marrëveshja e Përkohshme (pra, para dhe pas 13 shtatorit 1995). Kur përfliteshin modalitete për emrin e ri të Maqedonisë, te subjektet shqiptare ekzistonte frika dhe dyshimi se Athina dhe Shkupi më së lehti mund të pajtoheshin për një emër që atyre s’u pëlqente: Republika Sllave e Maqedonisë ose Republika e Sllavomaqedonisë, me çka do të ndërrohej karakteri i shtetit. Atëherë udhëheqësia e PPD-së ia kishte vënë në dukje kryetarit Gligorov dhe gjithë kreut shtetëror se Maqedonia do të ketë probleme me një emër të tillë. Kjo frikë nuk ishte e rastit, sepse në atë kohë dominonte vetëdija për origjinën sllave të maqedonasve dhe ky vetidentifikim me shtetin nuk do të paraqiste problem për ta, për dallim nga indokriminimi që e imponoi më vonë VMRO-ja. Por, në një shtet me atribut etnik sllav, shqiptarët nuk do ta gjenin vetveten. Sigurisht se këtij opsioni, i cili edhe sot mund të jetë më i pranueshmi për palën greke, i ka kaluar moda, pasi me të nuk pajtohen as shqiptarët, por as maqedonasit, pasi një numër i madh i tyre dehen me tezat për kontinuitetin me maqedonasit e Filipit të Dytë dhe Lekës së Madh. Është ironike, por pikërisht qëndrimi shqiptar kundër Sllavomaqedonisë u ndihmoi këtyre maqedonasve ta vazhdojnë iluzionin dhe vetëmashtrimin.

Kësisoj, nga frika që të mos shkaktohen ndasi të brendshme, Sllavomaqedonia ishte flakur që në fillim. Nga perspektiva e sotme mbrojtësit e verbër të emrit të Maqedonisë duhet t’i falënderohen pikërisht PPD-së së dikurshme. Gjithsesi, ky kontribut nuk është ndonjë solidarizimin me ta, por para së gjithash duke mbrojtur interesin kombëtar shqiptar dhe nga frika edhe e një disfate (pas kushtetutës ku nuk i implementuan kërkesat e tyre) në përpjekjet për ndërtimin e një shteti ku do të ishin konstituentë të tij, kurse me një Sllavomaqedoni do të shtoheshin frustracionet. Mund të thuhet se në atë kohë te shqiptarët më e lartë ishte vetëdija për origjinën e tyre nga maqedonasit antikë sesa te maqedonasit e sotëm të indoktrinuar nga propagandimi i tezave kuazishkencore. Edhe sot po të vihej në tavolinë ky opsion, reagimi i partive shqiptare do të kishte qenë i njëjtë: pranojmë gjithçka, por jo dhe Maqedoni Sllave (Sllavomaqedoni). Por, kuptohet, ky opsion kaherë ka rënë nga kombinimi.

Duke qenë më së gjati në bashkëqeverisje me partitë maqedonase, Bashkimi Demokratik për Integrim do ta ndërtojë pozicionin e vet që në parim paraqet një konsideratë solidarizimi për ndjeshmërinë identitare të maqedonasve. Në këtë periudhë kjo parti do të ballafaqohet me realitetin e hidhur se dy palët në kontest janë sjellë në mënyrë irracionale: Greqia duke e penguar Maqedoninë në integrimet euroatlantike e ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme, gjë e cila nuk u përfill as pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe, natyrisht, irracionaliteti i VMRO-DPMNE-së pasi timonin e saj e mori Nikolla Gruevski.

Nikolla Gruevski e ktheu VMRO-në në pushtet me programin zgjedhor “Përtëritja”, të cilën qytetarët e konsideronin një manifest për zhvillim ekonomik. Mirëpo, më shumë se program ekonomik, ajo do të shndërrohet në manifest politik për ridefinim historik të rrënjëve identitare, e cila, ndonëse nuk është trajtuar seriozisht, në një mënyrë ose tjetër, do të hyjë edhe në oborrin shqiptar me të ashtuquajturin proces të antikuzimit. Heshtja akademike shqiptare ndaj kësaj ndërhyrje në të kaluarën e tyre (ka pajtim të përgjithshëm shkencor se origjina e Lekës është nga paraardhësit e shqiptarëve apo jo?!) është e një natyre tjetër, por fakti që kjo e vështirësoi procesin negociator dhe pozitat ndërkombëtare të Maqedonisë dhe pasivitetin e BDI-së, shumëkush nuk mund ta arsyetojë. Sepse pajtimi me çdo zgjidhje të pranueshme, nuk do të thotë edhe me çdo veprim që zgjidhjen e pamundëson, siç ishte pagëzimi i aeroportit me Lekën e Madh, si dhe i një autostrade, pastaj me emërtimin e Stadiumit të Qytetit me emrin e babait të Lekës, me vendosjen e statujave antike që i vendosi para Qeverisë Pasko Kuzmani, një adhurues i Lekës së Madh po aq sa dikur i kishte shkruar Titos etj. Nuk mjaftoi me kaq, po e sollën edhe mbretin e Hunzëve për t’i dhënë tokë të Maqedonisë, për të ndërtuar kompleks mbretëror, kjo për shkak të rrënjëve të përbashkëta me Aleksandrin e Maqedonisë…, të gjitha këto për ta forcuar identitetin maqedonas. Paramendoni, në kohën kur Bashkësisë Islame të Maqedonisë, edhe pse i qe premtuar, nuk iu dha parcela disa qindra metra katrorë në afërsi të Kalasë për rezidencë, mbretit mysliman të Hunzëve nga Himalajet iu dhanë disa hektarë pjesë e “tokës së krishterë” në Bogdanci (vërtet, çka ndodhi, deri ku kanë arritur punët?!), vetëm e vetëm pse dikush mendonte se janë gjetur “kushërinjtë” e Aleksandrit të Madh.

Kur të rezymohet gjithçka, qëndrimi shqiptar ndaj problemit të emrit ka mbetur në suaza të parimores dhe qasjes objektive se kur ke dy palë irracionale, më mirë të qëndrosh anësh. Edhe ato pak përpjekje të BDI-së nëpërmjet lobimeve te pala greke nuk dhanë e as që kanë mundur të japin ndonjë rezultat, por edhe mund të jenë keqkuptuar nga disa qarqe që çdoherë e shikojnë me dyshim çdo involvim të shqiptarëve në këtë çështje. Më shumë se dy dekada subjektet shqiptare kishin mirëkuptim për ndjeshmërinë te bashkëqytetarëve maqedonas dhe nuk bënë kurrfarë presionesh për t’i cenuar interesat e tyre kombëtare. Nëse nuk mundën të ndihmojnë, të paktën nuk u bënë pengesë.