Intervistë me Lul Raka, shkencëtari shqiptar që luftoi “Ebolan”. Sa kanë mundësi për shkencë të rinjtë në Kosovë?!

Profesori Lul Raka thotë se aktualisht është pjesë e dy projekteve të mëdha shkencore ndërkombëtare. Njëri prej të cilëve është me rezistencën ndaj antibiotikëve (EURECA)”i cili zhvillohet në 50 spitale anekënd Evropës dhe menaxhohet nga Universiteti i Utrehtit në Holandë. Ai vlerëson se Studentët në Kosovë kanë hapësira të kufizuar fizike për studim dhe për hulumtim shkencor dhe mungesë të pajisjeve.

Lul Raka, doktor i shkencave të Mikrobiologjisë i njohur në të gjithë Botën, është njëri nga doktorët e rrallë shqiptarë që në mënyrë humanenë vitin 2014 ka ndihmuar në shtetet afrikanë në luftën kundër virusit “Ebola “, flet në intervistë për portalin “5 Gazetarët”. Ai flet për projeket shkencore ndërkombëtare me të cilat merret. Por edhe për faktin se sa në Kosovë institucionet investojnë për shkencën në shëndetësi, ç’ka shteti u ofton shkencëtarëve të rinj dhe studentëve që synojnë shkencat mjekësore?

“5gazetarët” – A mund të dimë, cili është aktiviteti juaj shkencor për momentin, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit?

Lul Raka – Aktualisht jam pjesë e dy projekteve të mëdha shkencore ndërkombëtare. Njëri ka të bëjë me rezistencën ndaj antibiotikëve dhe titullohet “European prospective cohort study on Enterobacteriaceae showing Resistance to carbapenems (EURECA)”. Ky projekt po zhvillohet në 50 spitale anekënd Evropës dhe menaxhohet nga Universiteti i Utrehtit në Holandë. Unë jam koordinator për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Projekti i dytë shkencor koordinohet nga Universiteti i Oksfordit dhe titullohet “Multi-centre European study of major infectious disease syndromes (MERMAIDS): Arboviral compatible febrile illness”.

Njëkohësisht, po punoj edhe në projektin “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës” i mbështetur nga Ambasada e Italisë dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nga angazhimet e tjera do të përmendja edhe finalizimin e dy planeve nacionale të veprimit për rezistencë antimikrobike dhe infeksione spitalore, të cilat janë përgatitur nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë.

“5gazetarët” – Sipas mendimit tuaj, sa institucionet e vendit, investojnë në shkencën në sferën e mjekësisë?

Lul Raka – Institucionet e vendit investojnë shumë pak në shkencë. Zhvillimi i hulumtimit shkencor në Kosovë kryesisht është sporadik, individual dhe pa mbështetje institucionale.

Sfidat kryesore të kërkimit shkencor në Kosovë lidhen me burimet njerëzore, infrastrukturën dhe pajisjet jofunksionale. Edhe pse Qeveria e Kosovës prej vitit 2010 ka filluar të mbështesë kërkimin shkencor me disa grante të vogla shkencore, kjo as për së afërmi nuk i mbulon kërkesat e hulumtuesve.

“5gazetarët” – Sa universitetet shtetërore në vendin tonë,ofrojnë kushte që studentët e lëndëve të cilët kërkojnë laboratorë, kabinete punë dhe elemente tjera që të studiojnë denjësisht, pa asnjë mungesë elementare?

Lul Raka – Hapësira e kufizuar fizike për studim dhe për hulumtim shkencor dhe mungesa e pajisjeve paraqet pengesë të madhe në funksionalitetin e universiteteve në Kosovë. Vërehet mungesë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes njësive akademike në shfrytëzimin e përbashkët dhe racional të hapësirës dhe pajisjeve në dispozicion për mësim e kërkim. 

“5gazetarët” – Cilat janë masat urgjente që autoritetet duhet të ndërmarrin, që në vendin tonë të dalin kuadro cilësor, të cilët do kenë një të ardhme të sigurtë shkencore?

Lul Raka – Disa prej masave janë: të ndahet një vijë buxhetore e veçantë për kërkime shkencore. Të krijohet sistemi online i bibliografisë shkencore të stafit akademik dhe të përditësohet në fund të çdo viti. Të përkrahet dhe rritet fondi për bursa për qëndrime afatshkurtra hulumtuese jashtë vendit. Të obligohen fakultetet që të marrin pjesë në aplikimin e granteve me konkurs të hapur në vend dhe jashtë (p.sh. HORIZON 2020). Të nxitet përfshirja e kapaciteteve nga diaspora në veprimtarinë kërkimore-shkencore. Të funksionalizohet dhe avancohet infrastruktura për punë kërkimore. Të rritet përfshirja e studentëve dhe femrave në kërkimet shkencore. Të fuqizohet bashkëpunimi me sektorin publik dhe privat në realizimin e projekteve kërkimore që janë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror dhe të sigurohet qasja në bazat shkencore online.

“5gazetarët” – Nga ana tjetër, si mendoni, sa të rinjtë në vendin tonë ju qasen studimeve në drejtimet shkencore, e veçanërisht atyre mjekësore?

Lul Raka – Qasja e të rinjëve në shkencat mjekësore është e kënaqshme, sepse mjekësia ende mbetet një prej drejtimeve më atraktive për studim në Kosovë. Por, përfshirja të rinjëve do të duhej të ishte më e madhe në studime të disa fushave deficitare, siç janë ato të inxhinierisë, prodhimit, bujqësisë, transportit dhe ndërtimtarisë. Po ashtu një rol shumë më të madh do të duhej ta kishte aftësimi profesional.

“5gazetarët” – Duke folur edhe si profesor universitar, pse të rinjtë duhet më shumë tu përkushtohen degëve të shkencave mjekësore?

Lul Raka – Për t’i mbuluar nevojat e shoqërisë dhe të jenë në shërbim të popullatës në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

“5gazetarët” – Cila është porosia juaj për të gjithë lexuesit tonë dhe për shqiptarët?

Të punojë secili punën e vet, ta shtojmë respektin për njëri tjetrin dhe të punojmë si ekip që ta çojmë përpara axhendën zhvillimore të shqiptarëve kudo që janë.

Në linkun më poshtë mund të lexoni biografinë e plotë të profesor Lul Raka : https://www.scribd.com/doc/302027118/Lul-Raka-biografia-1

Autore: Resmije Zharku, gazetare