Intervistë e Arianit Xhaferit nga ECO GUERILLA: Qeveria shpërblen ata që duhet gjobitur për ndotje

Vendimi i Qeverisë për ta ndihmuar ndotësin Jugohrom me paratë e qytetarëve nga ECO GUERILLA shihet si shpërblim ndaj atyre që duheshin gjobitur për dëmin që i kanë shkaktuar Pollogut. Kështu vlerëson Aktivisti i ECO GUERILLA, Arianit Xhaferi në intervistën për “5gazetarët”. I pyetur për gjendjen e ajrit të ndodur dhe atë ekologjike, Xhaferri thotë se për momentin Kryeqyteti vazhdon të jetë ndër më të ndoturit në Evropë, ndërsa betejat e një pas njëshme të guerilasve të Tetovës sollën ulje të ndotjes deri në 60%. Ai shton se premtimet e autoiteteve nuk e zgjidhin problemin derisa nuk realizohen në praktikë. Për më shumë lexoni intervistën e plotë.

5gazetarët Z. Arianit, vendimet e ditëve të fundit të Qeverisë lidhur me financimin e filtrave të Jugohromit, na obligojnë në një farë mënyrë që këëtë çështje ta trajtojmë si shtesë në këtë intervistë. Si e komentoni zgjoidhjen që e ka ofruar Qeveria për Jugohromin?

Arianit Xh. – Vendosja e filtrave në Jugohrom është obligim ligjor i kompanisë që menaxhon me metalurgjikun në fjalë, dhe vendimin e qeverisë për ta ndihmuar këtë ndotës me paratë e buxhetit të qytetarëve e shohim si shpërblim ndaj atyre që duheshin gjobitur për dëmin që i kanë shkaktuar Pollogut në përgjithësi dhe Tetovës në veçanti gjatë viteve të fundit. Eco Guerilla e ka bërë të qartë disa herë se duhet monitorim i pavarur nga ekspertë të vendit dhe të jashtëm për t’u siguruar që filtrat që do instalojë Jugohrom do jenë ato të duhurat, dhe poashtu të monitorohet vazhdimisht përdorimi dhe mirëmbajtja e tyre, për të evituar emetimin e pluhurit në ajër. Sfidë tjetër mbetet trajtimi i gazrave të rrezikshëm që lëshon Jugohromi e që nuk pengohet dot nga filtrat në fjalë.

5gazetarët – Pas shumë betejave, në çfarë gjendje ekologjike ndodhet momentalisht vendi, sidomos Shkupi dhe Tetova?

Arianit Xh. – Gjatë viteve të  fundit Tetova (dhe qytete tjera në Maqedoni) shpeshherë janë gjetur në majat e top listave botërore të qyteteve me ajër më të ndotur. Aktivitetet e Eco Guerilla që filluan nga viti 2013 dhanë rezultat me çka u arrit që një nga ndotësit kryesor rajonal (Jugohromi) të pushojë me punë deri në vendosjen e plotë të filtrave, përmes presionit të madh publik e politik u arrit që të dislokohet nga hyrja e qytetit një deponi e egër gjigante, aktualisht po punohet në ndërtimin e rrjetit të gazit natyror, që ka qenë një ndër kërkesat tona të para për të ulur ndotjen në rajon, si dhe së fundmi nga Komuna e Tetovës po japin sinjale pozitive se më në fund do të kemi transport publik. Betejat e një pas njëshme të guerilasve të Tetovës sollën ulje të ndotjes deri në 60% – me çka tash kemi ajër më pak të ndotur, por akoma nuk kemi ajër të pastër siç duhet ta kemi. Shkupi është një storje tjetër. Kryeqyteti vazhdon të jetë ndër më të ndoturit në Evropë dhe masat e paralajmëruara së fundmi nga qeveria pritet të japin rezultat pozitiv por do dojë kohë që këto rezultate të ndjehen e të shijohen. Pritshmëritë e qeverisë, sidomos z. Makraduli se brenda dy vitesh ndotja në Shkup do përgjysmohet, janë pritshmëri shumë ambicioze, gati utopike, por sigurisht që një implementim serioz i masave do sillte përmirësim të konsiderueshëm.

5gazetarët – Pas shumë premtimeve të autoriteteve të pushtetit lokal, por edhe atyre të pushtetit qëndror, përsëri Shkupi ndodhet  ndër vendet e para më të ndotura në Botë? Ku qëndron problemi?

Arianit Xh. – Premtimet e autoriteteve nuk bëjnë punë derisa nuk transformohen në masa adekuate, konkrete dhe të qarta. Poashtu, qëndrimi im është se problemet radikale kërkojnë masa radikale, jo kozmetikë, jo fjalë. Derisa autoritetet në Shkup lëshojnë shumë rekomandime të cilat bazohen në vullnetin e mirë e gjithsecilit, si dhe paraqesin një seri masash të cilat janë shumë të buta, nuk mund të pritet që të ketë ndonjë rezultat të kënaqshëm.

5gazetarët – Por si duhet të zgjidhet problemi?

Arianit Xh. – Si fillim, gjatë muajve të dimrit kur ndotja është më e lartë, duhet të ndërpritet puna në të gjitha kantieret e ndërtimit për të shmangur në këtë mënyrë pluhurin shtesë që shkaktohet gjatë ndërtimit, por poashtu për të hequr nga rruga dhe kamionët e mëdhenj transportues të cilët e ngarkojnë trafikun edhe më shumë. Pika e dytë e rëndësishme është që industria e rëndë (sidomos në Shkup) të ndalojë prodhimin gjatë ditëve me ndotje më të lartë shkaku se ndotja që shkaktohet prej tyre e rëndon akoma më shumë gjendjen. Pika e tretë është që inspektoratet shtetërore dhe lokalë të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të shpeshta nëpër ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme për tu siguruar që në objektet e tyre nuk digjen lëndë të rrezikshme për mjedisin. Pika e katërtë është që kontrolle të këtilla të ketë edhe nëpër shtëpi private ku dyshohet se përdoren vajra makinash, goma dhe materiale tjera për ngrohje, por si fillim duhet rregulluar ligji që një qasje e tillë t’ju mundësohet inspektorëve mjedisorë. Pika e pestë është që gjatë dimrit të ketë një regjim të veçantë të trafikut, të përgjysmohen çmimet e transportit publik, si dhe të largohen nga qarkullimi automjetet që nuk i plotësojnë standardet ekologjike të parapara me ligj. Pika e gjashtë është mbrojtja e hapësirave të gjelbërta dhe mbjellja e më shumë drujve që shërbejnë si filtra natyrorë të ajrit të ndotur. Mund të ketë akoma më shumë mënyra për ta luftuar ndotjen, dhe gjithçka që ofrohet në tavolinë për këtë qëllim duhet shqyrtuar me seriozitet të madh dhe duhet provuar.

5gazetarët – A ju kanë afruar Juve si Eco Guerilla bashkëpunim autoritetet lokale dhe qendrore?

Arianit Xh. – Eco Guerilla nuk ka ndonjë formë direkte të bashkëpunimit me autoritetet lokale e qendrore, por shpeshherë ne përfshihemi në krijimin e masave dhe rekomandimeve për të arritur në përmirësim të cilësisë së mjedisit jetësor. Nuk bëjmë projekte që financohen nga ana e tyre, por punojmë shpesh që t’i ofrojmë zgjidhjet e duhura autoriteteve.

5gazetarët – Sa i marrin parasysh sugjerimet tuaja?

Arianit Xh. – Nganjëherë i marrin parasysh, nganjëherë s’i shqyrtojnë aspak, dhe kjo është diçka që duhet përmirësuar në të ardhmen. Shpeshherë autoritetet ndihen si object sulmi nga organizatat e shoqërisë civile, dhe sidomos nga ne por ata dështojnë të shohin një të vërtetë të dobishme për të gjithë – qoftë kritikë apo presion, performanca jonë në këtë drejtim i ndihmon ato të përmirësojnë performancën e tyre, sepse asnjë pushtet nuk mund të konsiderojë se di gjithçka dhe mundet pa ndihmën e një ekspertize të jashtme.

5gazetarët – Sa qytetarët janë të vetëdijshëm për rrezikun e jetës së tyre nga ndotja e ajrit?

Arianit Xh. – Besoj që kampanjat që ne kemi bërë gjatë këtyre 5 viteve që ekzistojmë kanë ndikuar tek qytetarët ta shohin mjedisin jetësor ashtu siç duhet, si pjesë e tyre, pjesë e jetës së përditshme. Në vitin 2013 ishte i madh numri i njerëzve që s’e dallonin ndotjen nga mjegulla e zakonshme. Shumë prej tyre mendonin që ndotja është “punë e Zotit” dhe se s’mund të bëhej asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme. Ne i vërtetuam se ndotja shkaktohet nga faktori njeri dhe se kjo mund të përmirësohet. Ajo që duhet bërë për të vetëdijësuar më shumë qytetarët tonë është një injektim i një ndjenje ose culture të përgjegjësisë shoqërore, për gjithë ata që hedhin kutinë bosh të cigareve nga vetura në lëvizje, për të gjithë ata që zbrazin koshin e plehrave në lum apo në hapësirën më të afërt, për të gjithë ata që lëvizin me automjetet e tyre pa patur në të vërtetë nevojë, për të gjithë ata që parkohen në rrugë e që e ngarkojnë trafikun edhe më shumë. Ka akoma shumë punë për t’u bërë, por është me rëndësi që ne në Eco Guerilla e kemi kuptuar se s’ka rrugë tjetër. Patjetër të bëhet ajo që duhet bërë.

5gazetarët – Cili është roli i qytetarëve për ajër dhe ambient të pastër?

Arianit Xh. – Çdo qytetar mund të ndikojë në përmirësimin ose përkeqësimin e gjendjes në mjedisin jetësor. Përpos sjelljeve devijante që përmenda më sipër, poashtu qytetarët duhen inkurajuar që të denoncojnë ndotësit, në lagjen e tyre, në fshatin e tyre, në qytetin e tyre. Pavarësisht se një ndërmarrje e caktuar punëson 10, 20 apo 100 persona, ata nuk kanë të drejtë të helmojnë ajrin e qindra mijëra të tjerëve, prandaj qytetarët duhet ta kuptojnë që ajri është i gjithë neve dhe askush s’ka të drejtë ta ndot atë për përfitime personale.  

5gazetarët – Çfar planifikon Eco Guerilla për periudhën që pason?

Arianit Xh. – Bordi këshillues i organizatës ka kërkuar që ne të zgjerohemi në aspektin tematik, me çka përveç ndotjes së ajrit, do merremi dhe me ndotjen e tokës. Në bashkëpunim me organizatën Vila Zora nga Velesi dhe ca organizata tjera nga Shkupi dhe Valandova, në rajonin e Pollogut jemi duke implementuar një projekt që ka për qëllim rehabilitimin e tokës përmes mbjelljes së bimëve që kanë fuqi të thithin metalet e rënda nga toka. Poashtu planifikojmë që në një të ardhme të afërt të aplikojmë teknologji të reja për identifikimin e ndotësve në Pollog, krijimin e një regjistri të hapur për çdo kategori të ndotësve, mbrotjen dhe promovimin e zonave me rëndësi natyrore e historike, etj. Dëshirojmë shumë që poashtu të ruajmë ca energji për të përgatitur dhe trajnuar aktivistë të rinj nga i gjithë vendi që do adresojnë dhe do punojnë në zbutjen e kësaj situate, në mos zgjidhjen e plotë të saj.

5gazetarët – Porosia juaj për qytetarët dhe autoritetet kompetente, që mbajnë përgjegjësi për gjendjen tonë ekologjike.

Arianit Xh. – Mjedisi jetësor është vendbanimi jonë. Duhet ta ruajmë e të kujdesemi për të. Mos i lejoni askujt t’ua ndot ajrin, ujin apo tokën. Luftoni për atë që ju takon me të drejtë të plotë.

                                  Intervistoi: Jakup Veseli, 5gazetaret.com